ARKIVI I KRYEGJYSHATËS BOTËRORE BEKTASHIANE

Arkivi grumbullon, ruan, përpunon dhe shërben dokumente që dëshmojnë historinë e bektashizmit në Shqipëri dhe në botë. Dokumentet që ruhen në arkiv janë ato të krijuara nga institucionet bektashiane, qendrore e lokale dhe nga personalitete të bektashizmit dhe të fushave të tjera të shoqërisë. Mbështetja e materialeve, teknika e krijimit dhe gjuha e përdorur, janë të ndyshme dhe pasqyrojnë në masë të konsiderueshme veçoritë e gjendjes dhe të zhvillimit shoqëror të kohës kur janë krijuar. Shumica e dokumenteve janë në suport letre, të shkruara në gjuhën shqipe, por ruhen edhe mjaft dokumente të suporteve të tjera, fotografi, shirita me figurë e zë, disqe, mikrofilma. Karakteristike është egzistenca e mjaft dokumenteve të shkruara në gjuhë të huaja: arabe, osmane, maqedonase, angleze, frënge, serbe, kroate, italiane etj. Nuk mungon bashkëpunimi me Arkivin Qendror të Shtetit, arkivat vendore dhe institucionet e tjera, për grumbullimin e dokumenteve që i përkasin periudhës deri në vitin 1967. Sot në arkiv punohet intensivisht për sistemimin e materialit mbi baza shkencore dhe duke zbatuar me përpikmëri strukturën organizative të Kryegjyshatës Botërore. Puna e nisur është në hapat e para, por qëllimi final është për të bërë të mundur shfrytëzimin e tij në një të ardhme sa më të afërt, si një dritare e re në kontekstin historik të besimit bektashian.