BIBLIOTEKA E BEKTASHIZMIT

Biblioteka e Selisë së Kryegjyshatës Bektashiane fillon historinë e saj me vetë funksionimin e Kryefaltores Bektashiane, më 7 shtator 2015.
Mjediset e bibliotekës përbëhen nga salla e leximit me fonde të hapura dhe ajo e arkivit të saj. Salla me fonde të hapura i shërben lexuesve, studiuesve, klerikëve etj. Në këtë sallë çdo lexues ka mundësi të konsultohet drejtpërdrejtë me literaturën që ajo disponon. Kjo sallë i ofron lexuesit mundësinë e akomodimit në një mjedis pune, mikpritës dhe komunikues. Salla e arkivit shërben për ruajtjen e ekzemplarëve të rrallë si dhe  sigurimin e kopjes unike për çdo titull.
Fondi i librave është strukturuar tematikisht.
Këndi i besimit islam dhe bektashizmit përbëhet nga vepra aktuale dhe retrospektive të autorëve shqiptarë dhe studiuesve të huaj. Ky kënd përmban gjithashtu kuranë në gjuhën shqip dhe të huaj, literaturë filozofike dhe doktrinore, mistike dhe rituale, monografi për profetë dhe personalitete fetare etj.
Vend të rëndësishëm zenë edhe librat me temë historike mbi përhapjen e bektashizmit në Shqipëri, veprën patriotike, kulturore dhe arsimore të klerikëve dhe besimtarëve bektashianë si edhe biografi dhe punime monografike mbi personalitete të kulturës, shkencës, jetës shoqërore etj.
Librat për gjuhësinë, letërsinë shqipe, përkthime të letërsisë botërore dhe vepra enciklopedike, janë gjithashtu pjesë e kësaj biblioteke.
Kontigjent i veçantë i fondeve të bibliotekës janë kalendarët vjetorë bektashianë, përmes të cilëve përcillet informacion me të dhëna historike, kulturore, data dhe ngjarje të rëndësishme të besimit bektashian.
Pjesë e fondit janë edhe periodikët, ku vlen të përmenden revistat "Urtësia", "Perla", "Drita e Kuranit", "Zani i Naltë", etj. si  dhe revista në gjuhën turke "Haxhi Bektash Veli".
Albumet e ilustruar, me tematikë të larmishme nga fushat e historisë, veprimtarisë së figurave të rëndësishme të klerikëve bektashianë dhe me tematikë e përmbajtje nga fushat e artit dhe kulturës janë pjesë e rëndësishme e fondit.
Mjedis i posaçëm i është rezervuar letërsisë për fëmijë me vëllime letrare të autorëve shqiptarë dhe të huaj, pjesë kjo e larmisë së literaturës së kësaj biblioteke.

Misticizma Islame dhe Bektashizma