AKTIVITETEKRYESORELAJME

Ceremonia tradicionale e Selisë së Shenjtë në malin e Tomorrit

22 gusht 2019, nën përkujdesin e veçantë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane - Selia e Shenjtë, Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Gjyshatës Skrapar, me sekretar Z. Zalo Qato dhe shumë bashkëpunëtorëve të tjerë, u zhvillua ceremonia tadicionale e pelegrinazhit të përvitshëm 5 ditor në malin e Tomorrit, në Berat, me rastin e festës së Abaz Aliut.

Në këtë ceremoni morën pjesë: President i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij Z. Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Veriut, Z.Telat Xhaferri, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Z.Blendi Klosi, Kryetari i partisë  XHE HE PE  të Turqisë, Z. Kemal Kiliçdaroglu, Kryetari i Bashkisë së Skraparit, Z. Adriatik Mema, Presidenti i News 24 Z. Ifran Hysenbejlliu, Biznesmeni i njohur Z. Pëllum Salillari, ministra dhe deputetë, përfaqësuaes të ambasadave të huaja të akredituara në Tiranë,  klerikë dhe besimtarë bektashianë të ardhur jo vetëm nga Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Evropa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj…,  drejtues dhe përfaqësues të besimeve të tjerë fetarë në Shqipëri, përfaqësues të medias, Unioni Artistik i Kombit Shqiptar, Dekoruar “Kalorës i Urdhrit të Skëndërbeut”, laurat i madaljes “Gjergj Kastrioti Skëndërbeu”  me president Z. Azgan Haklaj dhe sekretare të përgjithshme Znj. Enida Çami etj…

Kryegjyshi Botëroror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, në fjalën e rastit dha mesazhe paqeje, urimi, bekimi, mëshire dhe vuri theksin te sheshet e kësaj teqeje që mbushen kurdoherë me besimtarë që rriten nga viti në vit duke e kthyer këtë vend të shenjtë në një qendër të rëndësishme të faljes, mëshirës dhe afrimit me krijuesin. Gjithashtu, Kryegjyshi u dhuroi të pranishmëve disa certifikata mirënjohje për kontibutin e tyre në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në: Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Bllakan e më gjerë dhe në mbyllje zbuloj dhe inaguroj bustin të një prej klerikëve të shquar bektashianë, Baba Ali Tomorrit, duke falënderuar biznesmenin e njohur Z.Pëllumb Salillari, skulptorin e talentuar, Z. Muntaz Dhrami dhe të gjitë ata që kontribuan dhe sponsorizuan këtë vepër të shenjtë.

Fjala e plotë e Kryegjyshit:

Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
I nderuar President i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij Z. Ilir Meta!
I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Veriut, Z.Telat Xhaferri!
I nderuar Ministër i Turizmit dhe Mjedisit, Z. Blendi Klosi!
I nderuar President i News 24, Z. Ifran Hysenbelli!
I nderuar Kryetar i partisë  XHE HE PE  të Turqisë, Z. Kemal Kiliçdaroglu!
I nderuar Kryetar i Bashkisë së Skraparit, Z. Adriatik Mema!
Të nderuar ministra dhe deputetë!
Të nderuar përfaqësuaes të ambasadave të huaja të akredituara në Tiranë!
Të nderuar klerikë dhe besimtarë bektashianë të ardhur jo vetëm nga Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Evropa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj…!
Të nderuar vëllezër të mijë, drejtues dhe përfaqësues të besimeve të tjerë fetarë në Shqipëri, të pranishëm sot këtu!
Të nderuar përfaqësues të medias!
Së pari, në cilësinë e Kryegjyshit Botëror Bektashian, më lejoni t’ju falenderoj të gjithëve ju, që keni marrë sot rrugën e vështirë të malit të Tomorrit, pët t’iu bashkuar gëzimit të këtij pelegrinazhi historik. Zoti qoftë i kënaqur me ju dhe familjet tuaja, duke iu plotësuar çdo dëshirë që keni në këtë jetë!

Së dyti, dua të shpreh kënaqësinë për këtë pjesmarrje masive në këtë rit të shënuar, e mbi të gjitha, për gëzimin dhe shpresën që shoh në sytë dhe zemrat tuaja, që është shprehje e devocionit për t’u përulur plot mirënjohje dhe krenari, përpara mezareve të dervishëve dhe baballarëve bektashianë, të cilët e mbajtën të gjallë në shekuj frymën e lirisë dhe të besimit në Zot. Ata ushqyen shpresën e pafund se, pas çdo brenge e dhimbjeje, pas çdo gjëme apo fatkeqësie, do të bëhej, vullneti i Zotit dhe do të lindnin rreze djelli edhe për ta. Prandaj, rrugët e këtij mali të shenjtë, prandaj sheshet e kësaj teqeje ku mblidhemi çdo vit, u mbushën kurdoherë me hapat dhe zërat e besimtarëve, me optimizmin në vite të vështira që kalonte Shqipëria.
Të dashur Besimtarë! Në lartësinë e këtij mali, ne kemi gjithashtu shenjtorin tonë, Abaz Aliun. Pavarësisht legjendave shumë shekullore që tregohen e transmetohen për ‘Të nga brezi në brez, Ai vetë është një realitet i mbrekullueshëm i burrërisë përpara frikës, i jetës përpara vdekjes, i dashurisë para urrejtjes, i pastërtisë shqiprtërore përballë shpurës së Jezidëve. Ai ka qenë dhe do të mbetet modeli i burrit dhe i trimit që u identifikua deri në fund me vetë ndërgjegjen e shkëlqyer të Imam Hysejnit, paqja e Zotit qoftë me ‘Të! Emri dhe vepra e Abaz Aliut, i kanë falur këtij kryemali të shqiptarëve, jo vetëm shenjtërinë e historisë, por edhe vlera të jetës që kemi jetuar dhe jetojmë, Ato kanë qenë dhe do të mbeten burime të kristalta të mendimeve dhe qëndrimeve tona, përballë realiteteve aq problematik që po kalon Shqipëria, Ballkani e më gjerë sot, duke na bërë të reflektojmë që të gjithë, për më shumë shpresë e dashuri, paqe e mirësi, besim e adhurim për Krijuesin.
Jeta e Abaz Aliut, sikundër jeta dhe vepra e krejt dervishëve dhe baballarëve tanë nëpër vite, është dhe do të mbetet një model për çdo besimtar, për çdo ndjekës dhe dashamirës të udhës së ndritur të Haxhi Bektash Veliut.
Ky pelegrinazh i sotëm, që vjen pak ditë pasi ne kujtuam dhe ditën e bekuar të Kurban Bajramit, për nga pjesmarrja mesazhet që përcjellin ritet, bashkëkuvendimi me njëri – tjetrin, pa dallim race, gjinie, kombësie, etniteti, është një vlerë tjetër paqeje, adhurimi dhe angazhimi për ditë më të mira në të ardhmen.
Kam besimin e plotë tek bekimi i të madhit Zot, se ky eveniment do e bëjë më të dlirë e më të paqtë shpirtin tonë, do na bëj më të fortë shpirtërisht e fizikisht, me energji më të pastra e më të plota, duke i vënë ato në shërbim të njerëzve dhe kombit.
Ne të gjithë e dimë se shoqëria njerëzore sot po përballet me disa sfida, që lidhen me botëkuptime e me probleme sociale, ku lakmia, s’mira e Jezidit, po lufton ashpër kundër paqes, dashurisë njerëzore e mirësisë universale. Shpesh aktet e dhunshme, konfliktet e përgjakura në botë, disa tendenca nga grupime apo qarqe të caktuara për të përzierë mesazhe lufte e konfliktesh, duke i veshur ato padrejtësisht me rregullat e besimeve fetare. Deviza bektashiane “Pa atdhe nuk ka fe”, predikimi i harmonisë njerëzore, vëllazërisë së sinqertë, dashurisë për Zotin, kërkon një mbështetje sa më masive të klerikëve, besimtarëve, politikanëve, në mënyrë që spektri i harmonisë njerëzore në këtë botë mbi tokë, të këtë një shtrirje sa më të gjerë shpirtërore e territoriale. Ne bektashinjtë, kudo që jemi në botë, do vazhdojmë të jemi në krye të këtij misioni që kemi para Krijuesit dhe shoqërisë.

Të dashur besimtarë!
Kënaqësia jonë shtohet kur konstatojmë se nga viti në vit, sikundër ka ndodhur edhe sot në këtë vend të shenjtë, ashtu si dhe vendet e tjera të shenjtë të besimit bektashian, shtohet ndjeshëm numri i pelegrinëve që vijnë, luten e marrin bekimin e shenjtorëve për hallet e jetës së tyre. Ne ndihemi krenarë sot, jo pse i kujtojmë këta shenjtorë, por sepse çdo ditë e jona, çdo hap i yni është një bashkim natyror dhe unik me shpirtrat e tyre. Duke dashur Shqipërinë, duke dashur familjen, duke forcuar vëllazërinë tonë tradicionale, ne u afrohemi sa më shumë vlerave njerëzore, tipareve të mrekullueshme të profetëve. Ky është dhe do të jetë misioni ynë, edhe në të ardhmen.
Më lejoni më këtë rast të falenderoj biznesmenin, Z. Pëllumb Salillari, për sponsorizimin e bustit të një prej klerikëve të shquar bektashianë, Baba Ali Tomorrit dhe skulptorin e talentuar, Z. Muntaz Dhrami.
Dhe një herë më lejoni t’ju uroj ju që keni ardhur këtu dhe besimtarëve kudo ku janë nëpër botë:
Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin!

Kreu i Shtetit, Shkëlqesia e Tij Z. Ilir Meta,  tha se këtë vit kanë marrë pjesë në këtë pelegrinazh më shumë njerëz të nderuar dhe kjo është shenjë se vitin që vjen punët e Shqipërisë do të shkojnë më mirë. Ndër të tjera, Meta uroi që Abaz Aliu t’i japë forcë politikës shqiptare të çojë përpara Shqipërinë, që ajo të bëhet më e drejtë, më e bashkuar dhe më evropiane.
“Nuk do flas gjatë sot, pasi kemi shumë mysafirë të nderuar, që një vit më parë nuk kanë qenë këtu dhe kjo është shenjë e mirë se punët për vitin që vjen do shkojnë më mirë në vendin tonë. Dua të them se jo më kot poeti ynë i madh kombëtar, në momentet më të vështira, për t’i dhënë fuqi shqiptarëve, ju referua dhe i dha vendin që meritonte edhe poezi e poemë figurës madhështore të Abaz Aliut. “Abaz Aliu erdhi afër nesh, Shqipëria s’mbet e gjorë, se Zoti e desh”.
Ndaj dhe ne mblidhemi këtu për të nderuar këtë figurë të shenjtë dhe gjithë ato legjenda, personalitete, që përmes bektashizmit bënë dhe bëjnë më të mirën për Shqipërinë. Bënë gjithçka për gjuhën shqipe, për bashkim kombëtar, që punuan gjithmonë pa u lodhur për harmoninë fetare në vendin tonë. Abaz Aliu të na japë forcë për një Shqipëri më të drejtë, më të bashkuar, më evropiane siç e meritojnë të gjithë shqiptarët”, tha Meta, i cili eshte dekoruar nga Kryegjyshi i Bektashinjve.

Ministri Klosi, në fjalën e rastit, i’u përcolli gjithë të pranishmëve kërkesën e kryeministrit Edi Rama për të mbajtur sa më të pastër zonën.
Më tej, Klosi foli dhe për nismën për mbrojtjen e Malit të Tomorrit, duke thënë se kjo bukuri natyrore nuk i përket vetëm komunitetit, por të gjithë shqiptarëve.
“Gjithë komuniteti bektashinj shtohet dhe beson më shumë në këtë mal, që do të thotë se ky mal ka diçka të magjishme. Në emër të Presidentit iu uroj të kaloni gëzuar. Në emër të Ramës iu kërkoj të kemi një zonë sa më të pastër.
Të kem një menaxhim sa më të mirë të këtij komuniteti, pasi nuk i takon vetëm komunitetit, por gjithë shqiptarëve. Ndaj i jam bashkuar nismës së qytetarëve për mbrojtjen e malit të Tomorrit, për ta mbajtur atë aq të bukur sa natyra e ka krijuar”, tha Klosi.