KRYESORELAJME

Kryegjyshi Botëror mer pjesë në tryezën e rrumbullakët të takimit të FoRB (Liria e Fesë së Besimit) në Bruksel-BE

Kryegjyshi Botëror mori pjesë në tryezën e rrumbullakët të takimit të parë të FoRB (Liria e Fesë së Besimit) në Bruksel-BE.
Në këtë takim morën pjesë rreth 40 njerëz: përfaqësues të feve të ndryshme (katolike, protestante, mormone, myslimane, sike, etj.), një përfaqësues i Komisionit Europian, disa anëtarë të Ambasadave dhe aktivistë për Lirinë e Fesë.
Në këtë rast, normalisht ata mbajtën secili nga një fjalim rreth 3- 5 minuta, kurse Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj foli për më shumë se 20 minuta për sfidat me të cilat përballet bektashizmi në lidhje me lirinë e fesë.

Fjala e Kryegjyshit Botëror Bektashian:

Bismilahim Rrahmani Rrahim!

Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Të nderuar vëllezër të mijë, përfaqësues të lartë të feve dhe besimeve të ndryshëm!

Të nderuar deputetë dhe përfaqësues të Forumit Europian për Liritë Fetare!

Kam kënaqësinë e veçantë të ndajmë së bashku kohën në dispozicion për të bashkëbiseduar në lidhje me tarikatin  që përfaqësoj dhe më lejoni së pari t’ju uroj dhe bekoj në emër të miliona besimtarëve bektashinj në gjithë botën: “Paçi bekimet e Allahut, paçi ndihmën e Muhamed Aliut për ju dhe krejt familjet tuaja!”

I lindur gati 800 vjet më parë, tarikati bektashian pati fatin e madh të ketë themele të shëndoshë dhe të fuqishëm në Azinë e asaj kohe. Padyshim, ndër elementët më bazikë dhe të rëndësishëm të këtij themeli, në esencë të këtij besimi, ka qenë dhe mbetet urtësia e themeluesit Haxhi Bektash Veliu, i cili e mëshiroi shenjtërinë emblematike të tij, vetëm e vetëm përmes devocionit ndaj Krijuesit. Besoj se të gjithë ne, që jemi sot këtu, ndajmë së bashku se dija e thellë është vlerë për urtësinë, por jo gjithçka. Vetëm kur dijes i bashkohet devocioni në fe, lufta pa ndërprerë ndaj gjërave të përkohshme të kësaj bote, mërgimi prej egos, si dhe agjërimi në shkallët më të epërme të tij, atëherë nënkuptojmë vetë urtësinë.

Trualli në të cilin u lind dhe u rrit tarikati islam i bektashizmit, nuk ishte si një tokë korriku e plasaritur nga dielli që pret shiun me padurimin e vetë ekzistencës. Në këtë tokë kishte barë dhe lule, kishte ferra dhe gjemba, kishte drurë shekullorë dhe hijerëndë krejt indiferentë ndaj tarikateve që lindnin. Por fidani ibektashizmit erdhi duke u rritur fuqishëm, pikërisht se ishte mëkuar nga urtësia e Haxhi Bektash Veliut dhe u vadit paskëtaj me ujërat e kthjellëta të Ehli-Bejtit si dhe devocionin e dervishëve dhe baballarëve. Si rrallëkund në kontekstet fetarë, klerikët bektashinj e identifikuan veten dhe veprën e tyre me lindjen dhe rritjen e një vëllazërie të pandashme brenda komunitetit.

Është gati unikale në botën fetare, të djeshme dhe të sotme, perceptimi në bektashizëm që lidhet me ndjekësit e tij parësorë, ata më të devotshmit që në gjuhën e përditshme quhen “muhiban”. Sipas kodeve zakonore të sufizmit, këta praktikantë, në natën e caktuar prej udhëheqësve shpirtërorë, duhet patjetër të celebrohen përmes bekimit në mejdanin e teqesë, në prani të djemve apo vajzave të tjera, të cilat deri në ato çaste, mund të mos i ketë njohur fare. Zakonisht në mejdan, ne klerikët bektashianë celebrojmë shumë anëtarë spiritualë, që vijnë prej krahinash të ndryshme, apo etnive të ndryshme. Aspekti ceremonial sigurisht ka vlerat e veta në këtë rast. Por ajo që mbetet e shenjtë në mejdanin e teqesë është pikërisht fakti që djemtë dhe vajzat, gratë dhe burrat që marrin titullin e “myhibanit”, në jetë të jetëve janë vëllezër apo motra të njeri-tjetrit, në mënyrë pak a shumë të ngjashme me elementët e pagëzimit në krishtërimin ortodoks. Myhibanët tanë mbesin motra e vëllezër , me të njëjtat detyrime që rrjedhin prej familjes biologjike.

Vlerat e këtij vëllazërimi kanë qenë dhe mbeten të dukshme, sidomos në viset ballkanike qysh kur u ngritën teqetë e para në shekullin e trembëdhjetë dhe deri në ditët e sotme. Për vetë kushtet gjeografike, strategjike, historike dhe fetare, Ballkani edhe sot identifikohet me dyfjalëshin: Fuçi baruti! Pikërisht ky ka qenë edhe misioni kryesor i tarikatit bektashian, të ushqejë lidhjet e besimit, të ngrejë ura paqeje dhe shprese me idenë se jemi bij të një Zoti të vetëm dhe jemi të destinuar të jetojmë së bashku në këtë tokë e nën këtë qiell. Teqetë bektashiane, qysh në mesjetën e hershme dhe deri më sot janë streha të paqes shpirtërore dhe asaj fizike. Dyert e tyre kanë qenë dhe mbeten të hapura ditë dhe natë, jo vetëm për besimtarët tanë por edhe për çdo besimtar syni, të krishterë, hebre apo besimeve të tjera.  Janë me dhjetëra udhëtarë e studiues të huaj si: Justin Godard,  Edit Durham, Andrea Karkavitsas, Teodor Ipen, Margaret Hasluk, Noell Roger, Luis Zharej, Franc Babinger, Jashar Rexhepagiq, Roberto Moroko dela Roko, Nuraj Bozbore dhe deri tek Francez Trix nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë vlerësuar jo thjeshtë mikpritjen në teqetë bektashiane, por edhe intelektin e çmuar dhe mirësitë që klerikët tanë kanë falur me aq dashuri dhe çiltërsi.

Një meritë e padiskutueshme e kombit tim shqiptar, është gjithashtu përkrahja që i dha tarikatit bektashian në një prej ditëve më të vështira të tij, në fund të viteve 20 të shekullit të kaluar, atëherë kur pas reformave sekullariste në Turqi, tarikateve në tërësi po u merrej fryma. Në ato kushte mbijetese, dervishët dhe baballarët e Shqipërisë, i afruan vëllazërinë e tyre emblematike ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Sali Niazi Dedesë jo vetëm duke e pranuar në gjirin e tyre, por edhe duke kontribuar me çdo mjet për ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave më të spikatura të tarikatit. Ata e kuptuan se ora e madhe e historisë së bektashizmit po binte për ‘ta, ndaj edhe mbajtën mbi supet e tyre përgjegjësinë e vazhdimësisë. Sot e kësaj dite, edhe neklerikët bektashianë aktualë, kudo ku jetojmë e punojmë, përpiqemi të transmetojmë tek brezat dashurinë e thellë për Krijuesin, për dymbëdhjetë imamët, për atdheun dhe familjen, duke e shndërruar forcën e tarikatit në energji paqeje të vetëdijshme.

Motra dhe vëllezër të mij!

Për bektashinjtë e të gjitha kohërave, sufizmi në thelb është udha që i drejton besimtarët drejt stacioneve hyjnorë të tyre. Në të vërtetë, teoritë e sotme për sufizmin janë të shumta, por ata konvergojnë  ekzaktësisht në një pikë: tarikati është udha për në hapësirat e qiejve, është udhëzues korrekt dhe i ndjeshëm drejt përsosjes shpirtërore. Madje në vetëdijen tonë është ngulitur fort ideja se vendlindja e trupave tanë fizik është kjo botë, ndërsa vendlindja e shpirtrave tanë, bota shpirtërore.

Të shpërndarë më shumë se në 31 shtete, ne sot ecim me milionat e besimtarëve përmes kohërash aspak të përshtatshme për besimin. Por kjo nuk na ka trishtuar asnjëherë. Ne jemi përpjekur të shpalosim identitetin tonë fetar brenda familjes së madhe të Islamit, duke ndërtuar ura lidhje dhe besimi jo thjeshtë për krenari, por për të dhënë kontributin e mundshëm në Shqipëri, në Ballkan dhe më gjerë në Europë, të bindur se mes nesh dhe të tjerëve kemi mijëra gjëra që na bashkojnë dhe asgjë që na ndan. Identitetet fetarë, dhe kulturorë diversë, përpiqemi t’i shohim me sytë e shpirtit dhe kjo na bën t’i afrohemi tjetrit si vëllait tonë biologjik. Tek e fundit, familja e madhe europiane pikërisht këtë kërkon: vëllazërimin e pjesëtarëve të saj.

Ju faleminderit të gjithëve dhe Zoti ju bekoftë!

Amin!

 

Bruksel, 20 qershor 2019