KRYESORELAJME

Kryegjyshi Botëror në Shoqatën Ndërkombëtare të Policisë!

Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Të nderuar përfaqësues të lartë të Shoqatës Ndërkombëtare të Policisë!
I nderuar Z. Skënder Doda!
Të nderuar përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore dhe Komuniteteve fetare!
Motra dhe vëllezër të mij, antarë të këtij asosacioni kaq fisnik!
Më lejoni që në cilësinë e Kryegjyshit Botëror Bektashian, t’ju përshëndes në emrin tim personal si edhe t’ju sjell urimet më të mira të miliona  besimtarëve bektaashinj në të gjithë botën:
Zoti i Lartë ua pranoftë sakrificat tuaja sublime në të mirë të shoqërisë njerëzore, paqes dhe prosperitetit!
Më vjen mirë që shoqata Ndërkombëtare e Policisë, po bën përpjekje për integrimin e seksionit të Shqipërisë në gjirin e saj, duke manifestuar jo vetëm një dëshirë legjitime, por edhe një akt qytetar për vetë rrjedhat e shoqërisë së sotme shqiptare. Unë kam bindjen e plotë se me vullnetin e palëkundur, shkallën e lartë të profesionalizmit, përgjegjësinë e lartë morale, për t’u dalë Zot situatave, efektivat tanë të policisë , do të jenë kurdoherë në mbrojtje të ligjit, jetës së qytetarëve.
Është e pamundur të mos vesh re, se në këto tri dekada të fundit në vendin tonë, policia e shtetit , nga një vegël e verbër në duart e asaj që u quajt “ diktatura e proletariatit” është shndëruar në një mburojë të shkëlqyer të ligjit , të proceseve demokratizues dhe civilizues , duke ju bashkuar përpjekjeve mbarëpopullore, për të trokitur në dyert e Europës me dinjitetin tonë kombëtarë. Ndërkaq përpjekjet për t’ju bashkuar shoqatës  Botërore të Policisë me të drejta të plota statutore, përveç entuziazmit të ligjshëm , mendoj se do ti largojnë brezat e policisë sonë nga remineshencat e regjimit të kaluar.
Motra dhe vëllezër të pranishëm në këtë sallë!
Edhe pse misionet tona duken shumë të largët nga njëri tjetri , në thelb ne i bashkohemi idesë së bekuar për të ndërtuar një shoqëri me moral të lartë hyjnor dhe njerëzorë. Le të mbetemi kështu të bashkuar  me vullnetin dhe dashurinë e Zotit  dhe ju me besnikërinë dhe korrektësinë në mbrojtje të ligjit , duke u shërbyer njerëzve , në çdo rrahje zemre. Ashtu siç ndajmë një qiell që na ka falur Zoti, le të ndajmë fatet tanë njerëzorë, duke ushqyer paqe dhe mirësi.

Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin!

Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj

23.02.2019