MUZEU I BEKTASHIZMIT

Muzeu i Bektashizmit u përurua më 7 shtator të vitit 2015, si pjesë e qendrës fetare - kulturore. Nëpërmjet dokumenteve, fotove dhe relikteve, vizitori njihet në mënyrë kronologjike, me historinë 800 vjeçare të bektashizmit, si degë e fuqishme e trungut të fesë Islame, duke filluar me Kuranin e Shenjtë, Profetin Muhamed (a.s.), Familjen e Ehli Bejtit dhe 12 Imamët. Rëndësi e veçantë i kushtohet themeluesit të bektashizmit, Haxhi Bektash Veliut të veprës së tij, si dhe Pirit të Dytë, Ballëm Sulltanit dhe reformave të rëndësishme, që ndërmori ai. Në një kënd me vehte, zënë vend 39 Kryegjyshët Botërorë të Bektashizmit. Në vijimësi, vizitori njihet me misionin, qëllimin e bektashizmit, që kanë si burim doktrinën, “Katër porta, sheriati, tarikati, marifeti dhe hakikati dhe dyzet mekamet”. Sari Salltiku, mali Tomorr etj., si vende të shenjta e pelegrinazhi, lidhen me misionarët dhe dëshmorë, që kanë lënë gjurmë në Shqipëri e më gjerë. Kontributi i madh i bektashinjve shqiptarë në Lëvizjen Kombëtare, më pas zenë vend të rëndësishëm në këtë muze, siç ze vend edhe vendosja e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë nga Sali Njazi Dedei. Në qendër të muzeut zë vend këndi i kujtesës, në nderim të klerit bektashian të persekutuar në shekuj. Në stenda të veçanta pasqyrohen kongreset bektashiane, nga Kongresi i Prishtës i vitit 1921 e deri te Kongresi i tetë 2005. Organizimi strukturor i Komunitetit Bektashian është i ndarë në gjashtë Gjyshata: E Beratit, Korçës, Gjirokastrës, Krujës, Vlorës, Elbasanit. Një stendë më vehte i kushtohet teqeve   të Detroitit (SHBA), Tetovës dhe Gjakovës. Nëpërmjet manekinëve vizitori njihet  me uniformat dhe hierarkinë bektashiane. Një kënd më vehte zë harmonia fetare, si vlerë e spikatur e bektashizmit, në periudha të rëndësishme historike të popullit shqiptar dhe stendës së Librave të Shenjtë: Tevrati, Zeburi, Ungjilli dhe Kurani. Në vitrinat e shumta ekspozohen relikte të rralla të Kryegjyshëve Botërorë Bektashianë, si Dede Ahmet Myftari, Dede Reshat Bardhi, Dede Kamber Prishta, e të mjaft klerikëve  të tjerë. Një vend i veçantë i kushtohet dhe  kontributit të vëllezërve Frashëri e disa botimeve të tyre të rralla. Pjesë e rëndësishme e muzeut bektashian janë dhe ambientet e “Kafe Oxhakut ”, “Ashures” dhe “Pelegrinazheve”. Monitorët, i japin mundësi vizitorit  të shohë nga afër pamje të ndryshme të teqeve, persekutimin e klerit dhe ceremoninë e Ashures. Për ngritjen e këtij muzeu, nën drejtimin dhe kujdesin  e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, punuan muzeologë, arkitektë, inxhinierë,   piktorë   e dizajner. Muzeu vazhdon të  ngjallë  interes nga vizitorë të shumtë vendas e të huaj.

001

002

003