AKTIVITETEKRYESORE

Personalitete të vendit urojnë Kryegjyshin dhe besimtarët për Kurban Bajram

Menjëherë pas përfundimit të programit të Kurban Bajramit në “Sheshin Skënderbej”, Kryegjyshata Botërore Bektashiane, Selia e Shenjtë hapi dyert për të pritur vizita me rastin e kësaj feste.

Për të përcjellë mesazhet e urimit në Selinë e Shenjtë ishin kryebashkiaku i Tiranës, Z. Erion Veliaj, kryetarja e Komitetit Shtetëror për Kultet, znj. Loreta Aliko, nënprefekti i Tiranës, drejtues të institucioneve shtetërore, lokale, përfaqësues të subjekteve politike, ambasadorë, personalitete të jetës publike, të fushës së artit, medias, biznesit, etj.

Pjesë e kësaj dite të begatë e festive u bënë edhe drejtues të komuniteteve fetare, Kreu i Kishës Ortodokse, Anastas Janullatos, Kreu i Kishës Katolike, George Frendo, përfaqësues nga Komuniteti Myslyman Shqiptar, përfaqësues nga Vëllazëria Ungjillore Shqiptare si dhe përfaqësues të tarikateve, Kryetari i Tarikatit Rufai, Shejh Qemaludin Reka dhe Kryetari i Tarikatit Kadiri, Shejh Bujar Harasani.

Në mesazhet e tyre drejtuar Kryegjyshit Botëror, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ata shprehën urimet dhe përshëndetjet e tyre të sinqerta si dhe uruan besimtarët për më shumë mirësi në familje dhe shoqërinë tonë të përbashkët.

Kryegjyshata Botërore Bektashiane, Selia e Shenjtë falënderon të gjithë ata që morën pjesë në këto vizita si dhe të gjithë shqiptarët dhe besimtarët të kudo ndodhur nëpër botë, që kanë dërguar mesazhe urimi me rastin e kësaj feste.