AKTIVITETEKRYESORELAJME

Samiti i Udhëheqësve Fetarë në Botë – Baku, Azerbajxhan 2019

Kryegjyshi Botëror, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj mer pjesë në Samitin e II të udhëheqësve fetarë në botë, i cili po zhvillohet në Baku të Azerbajxhanit.

Tema kryesore është paqa botërore dhe bashkëpunimi.
Fjala e Kryegjyshit:
Bismilahi Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
I nderuar President i Republikës së Azerbajxhanit, Shkëlqesia Juaj, Aliev!
Të nderuar vëllezër të mijë, lider fetarë botërorë!
Të nderuar organizatorë të këtij eventi, në të mirë të paqes Botërore!
Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të marr pjesë në këtë veprimtari dhe më lejoni t’ju uroj në emrin tim personal, si dhe në emër të bektashinjve në të gjithë botën: Zoti i Lartë ju plotësoftë çdo dëshirë Ju, familjeve Tuaja shpirtërore, kombeve Tuaj!
Samiti i sotëm, i mbajtur në kuadër të festimeve jubilare të Sheh-ul-Islam Allahshukur Pashazade, sigurisht është një mundësi tjetër e jona, jo vetëm të takohemi me njeri-tjetrin, jo vetëm të flasim rreth atyre që “na dhembin në shpirt”, por edhe të paracaktojmë udhët tona për përballimin e sfidave. Ne kemi pasur e do të kemi gjithmonë nevojë për fjalën e njeri-tjetrit, sepse është fjala ajo që na ka zbritur me madhështinë e saj të përjetshme prej Librave të Shenjtë, është fjala e Zotit ajo që na jep kuptimin e vërtetë të jetës së sotme dhe asaj të ahiretit. Është fjala ajo që na bashkon në këtë botë diverse.
Familja jonë e madhe dhe e mrekullueshme myslimane, përgjatë shekujve ka rrëfyer shfaqje të pafund të mëshirës, të dialogut, të mirëkuptimit njerëzor dhe fetar, sepse në substancë të besimit tonë, është pikërisht kjo tolerancë që na ka ushqyer ndër breza.
Në këtë sallë, të gjithë e dimë se në vitin e tretë Hixhri, kur Profeti ynë i bekuar hyri në Mekë, të gjithë jobesimtarët u fshehën apo donin të merrnin arratinë prej gjithë atyre të këqijave  që u patën bërë myslimanëve. Por Profeti ynë, lajmëtari i besimit  të Allahut të Lartë, duke manifestuar si gjithmonë  idetë e mëshirës dhe të dashurisë midis njerëzve, i tha krejt popullit: “O njerëz! Ne vërtet ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj dhe fise që të njiheni mes njeri-tjetrit, e s’ka dyshin se tek Allahu i Lartë, më i ndershmi nga ju, është ai që u ruhet më shumë mëkateve, e Allahu është i dijshëm dhe njeh gjithçka deri në imtësi” (Kurani, 49:13).
Nuk ka dyshim se një substancë e tillë ndijimore, siç është vëllazëria njerëzore, e ka shoqëruar familjen myslimane përgjatë shekujve, duke sendërtuar jo thjeshtë themelet e saj, por krejt atë ngrehinë të çmuar , të ndriçuar nga Islami. Ideja e paqes në të dy botët, mishërimi i një vëllazërie përtej ngjyrave, racave apo feve, respekti i thellë dhe i vetëdijshëm për natyrën dhe Krijuesin e  saj, bënë të mundur përparimin e fesë sonë si edhe përqafimin e saj sot, në më shumë se një miliard besimtarë. Madje edhe kur u anatemua dhe u sulmua në vende  dhe kohë të ndryshme, tradita Islame u shfaq kurdoherë koherente me tiparet më të qenësishme të saj dhe në mënyrë të veçantë me mëshirën universale.
Të nderuar të pranishëm të këtij auditori kaq të respektuar!
Ne të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për sfidat  që kalon sot shoqëria njerëzore, sfida që nëse nuk peshohen në “kandarin” e shpirtit, do të na vënë përpara dramave të paparashikuara. Kohërat që po kalojmë, po bëjnë çdo ditë e më shumë evidentë problemet që ne kemi me natyrën, duke harruar në shumë raste se kjo dhuratë e Krijuesit nuk mund të shpërdorohet sipas orekseve të oligarkëve famëkeq. Ne kemi problem me largimin e rinisë prej objekteve të kultit, të joshur padyshim nga globalizmi dhe prakticiteti shekullarist. Ne kemi probleme me varfërinë e miliona të uriturve përballë indiferencës së milionerëve apo shoqërive “moderne”, të cilat anashkalojnë të drejtën për të jetuar, sikundër vlen të jemi të gjithë të ndjeshëm ndaj luftërave rajonale që po marrin çdo ditë qindra e mijëra jetë të pafajshme.

Krejt këto sfida, janë sigurisht të ndërlikuara dhe kërkojnë jo vetëm kapacitete të fuqishëm për t’u kapërcyer, por dhe një ndërveprim të përhershëm dhe energjik të qeverive dhe lidershipit politik botëror. Por ajo që unë personalisht mendoj, është që roli ynë, roli i liderve  fetarë, më shumë se deri sot, duhet të jetë i ndjeshëm dhe kontribuues, pikërisht në idenë se përpara çdo mekanizmi ekonomik, politik apo social, ne duhet t’i kërkojmë ndihmë Zotit. Lutjet tona, të mbështetur në realitetet e sotëm, të dala prej shpirtrave të pastër, të shumëfishuara në dimensionin njerëzor të miliarda besimtarëve, besoj se do të kontribuojnë në kapërcimin e krizave të sotme.
Meqenëse aktualisht, unë udhëheq tarikatin bektashi, më lejoni t’ju them se ky tarikat, që në lindje të tij para tetëqind vjetësh e deri më sot, është shpërndarë ndër besimtarë anë e kënd botës, si një frymë vëllazërie e përjetshme. Komunitetet bektashianë, deri më sot të identifikuar në 31 vende, nga Azia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë mundur të identifikojnë veten e tyre si të barabartë dhe vëllezër me çdo komunitet tjetër fetar, kurdoherë përmes dashurisë deh devocionit të thellë të tyre ndaj Islamit dhe ndaj Haxhi Bektash Veliut. Prej gati nëntë dekadave, Selia e Shenjtë Bektashiane është shpërngulur nga Turqia, për t’u vendosur në Tiranë-Shqipëri dhe ky shekull ka dëshmuar se ne mbetemi të ndërgjegjshëm për misionin historik, jo thjeshtë ndaj besimtarëve, por në radhë të parë për përparimin e Islamit, në Ballkan e më gjerë. Ne do të kontribuojmë deri në rrahjen e fundit të zemrës, për universalitetin e Islamit dhe paqes njerëzore.

Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin!

Fjala e Kryegjyshit Botëror Bektashian,
Hirësia e Tij,
Haxhi Dede Edmond Brahimaj.